Matja është njëra ndër veprimet më të hershme intelektuale të njeriut, përmes së cilës ai ka arritur të njehë e të kupton botën për rreth vetes, t`i  përshtatet asaj e të shfrytëzon atë për nevojat e veta. Matja është veprim që e përcjellë punën krijuese të njeriut që nga hapat e parë, në rrugën e vështirë drejt përsosjes.

Shprehjet e para që janë përdorur për përcaktimin e sasisë e të madhësisë së sendeve apo të dukurive, kanë qenë shprehjet: shumë, pak, i (e) madhë/e, i (e) vogël, etj.

Me shfaqjen e shtetit, matja hynë në sferën e interesit të tij. Kështu, përmes normave ligjore dhe institucioneve administrative, matja bëhet pjesë e organizimit të shtetit, parimi themelor i së cilës është harmonizimi i marrëdhënieve në shtet – lehtësimi i komunikimit mes njerëzve. Për arritjen e kësaj, shteti përmes ligjit i detyron nënshtetasit e vetë të përdorin mjete matëse të sakta dhe të masin saktë me to.   

Njësia matëse “e ligjshme” më e vjetër, e ruajtur gjerë më sot si dokument, mendohet të jetë njësia e gjatësisë e quajtur “Kubiti mbretëror” egjiptas, që përmendet në një shkresë të shkruar rreth vitit  3000 p.e.r.

Te ne, në trevat shqiptare, “matjet e ligjshme”, në të kaluarën janë zbatuar sigurisht përmes ligjit të atij shteti në kuadër të së cilës kanë qenë trevat tona, si: Perandoria Romake, Bizantine, Osmane, etj. Në një hapësirë kohore prej më se 2000 vitesh, dallojmë dy periudha të ndritshme të organizimit të shoqërisë shqiptare në formën e saj më të lartë – të shtetit të pavarur: Principata e Arbërit (1190-1266) dhe atë të Skënderbeut (1443-1468). Sigurisht se “matja e ligjshme” në këto dy principata është rregulluar me ndonjë ligj ose urdhëresë, por në arkivin e Institutit të Metrologjisë Legale të Kosovës, nuk kemi dëshmi për këtë.

Nga periudha të mëhershme kombëtare, ajo e shteteve ilire, kemi dëshmi mbi ekzistimin dhe përdorimin e larandave (peshave), të gjetura në Austri. Fjala “litër” që sot është në përdorim për emërtimin e njësisë ndihmëse të vëllimit, është fjalë për të cilën etimologjia e shpjegon si fjalë me prejardhje ilire. Kjo fjalë e përvetësuar nga gjuha latine në trajtën “libra” dhe nga gjuha greke në trajtën “litra”, ka arritur të mbijeton deri në ditët e sotme. Këto të dhëna, paraqesin një dëshmi për nivelin e lartë të organizimit të shoqërisë të shteteve ilire.

Deri kah fundi i shek. XIX në Kosovë, si pjesë përbërëse e Perandorisë Osmane, njësitë matëse ligjore (zyrtare) kanë qenë: “endezeja” për gjatësi dhe “oka” për masë. Në vitin 1871, në këtë shtet, pra edhe në Kosovë si dhe në tërë hapësirat shqiptare, me ligj hyn në përdorim sistemi metrik  i matjes. 

Rregullimi i përdorimit të masave dhe i mjeteve matëse me ligj nënkupton ndërhyrjen e shtetit në përcaktimin e cilësive fizike dhe teknike të masave dhe të mjeteve matëse me qëllim që përdorimi i tyre të jetë i njëtrajtshëm në tërë territorin administrative të shtetit, të siguron saktësinë e tyre gjatë përdorimit në lëmi të ndryshme: në prodhimtari, ndërtimtari, në proceset teknologjike të prodhimit, tregti, komunikacion, shëndetësi, kadastër, forcat e armatosura etj., si dhe të ndërmarrë veprime ndëshkuese në raste të keqpërdorimit.

Organi i parë shtetëror i Metrologjisë në Kosovë (Enti për Kontrollin i Masave dhe i Metaleve të Çmueshme) është themeluar me 01.09.1946 në Prizren dhe ka vepruar si i tillë në tërë territorin e Kosovës.

Detyra e këtij organi ka qenë:

  • Kontrollimi dhe vulosja periodike e masave dhe mjeteve matëse, si dhe
  • Kontrollimi dhe vulosja e punimeve nga metalet e çmueshme.

Ky institucion, edhe pse me shumë vështirësi, si çdo institucion tjetër Kosovar që i`u nënshtrua diskriminimit, largimit të punëtorëve nga puna dhe represionit të pushtuesit serb, funksionoi deri në fillimin e luftës së fundit. Në qershor të vitit 1999, me largimin e forcave serbe nga Kosova, punëtorët e larguar nga puna të këtij institucioni morën iniciativën për themelimin e Institutit të Metrologjisë Legale të Kosovës (me lejen e UNMIK-ut të atëhershëm) me çka do të rifillonte aplikimi i metrologjisë në Kosovë.

Pas krijimit të institucioneve të Kosovës, ky institucion kaloi në kuadër të Ministrisë për Tregti dhe Industri, duke u plotësuar edhe me Metrologjinë shkencore dhe Industriale. Tani metrologjia ne Republikën e Kosovës është e organizuar si Agjenci e Metrologjisë.